Kërko një artikull:

Procesi i përvetësimit të gjuhës nuk kufizohet vetëm te ekspozimi ndaj strukturave gjuhësore, fjalorit të ri apo shprehjeve. Ai përfshin gjithashtu dimensione të rëndësishme emocionale dhe psikologjike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën dhe nivelin në të cilin inputi gjuhësor përthithet nga nxënësit. Një nga teoritë më me ndikim që trajton këtë marrëdhënie është Hipoteza e Filtrit Afektiv, e formuluar nga Stephen Krashen në fillim të viteve 1980. Çfarë është Hipoteza e Filtrit Afektiv? Sipas Krashen (1981), Hipoteza e Filtrit Afektiv shpjegon sesi faktorët afektivë, si emocionet, qëndrimet dhe gjendjet psikologjike të nxënësve, lidhen me procesin e përvetësimit të gjuhës së dytë. Kërkimet e mëvonshme kanë konfirmuar se një gamë e gjerë variablesh afektive ndikojnë ndjeshëm në suksesin gjuhësor. Këto variabla ndahen në tre kategori themelore: Motivimi – Nxënësit me motivim të lartë, veçanërisht me motivim integrues (dëshira për t’u bërë pjesë e një komuniteti gjuhësor), tregojnë përparime më të dukshme në përvetësimin e gjuhës. Vetëbesimi – Një vetë-imazh pozitiv dhe bindja tek aftësitë e veta e bën nxënësin më të gatshëm të marrë rreziqe, të praktikojë dhe të zhvillohet në gjuhën e re. Ankthi – Nivelet e ulëta të ankthit, si personal ashtu edhe në mjedisin e klasës, krijojnë kushte që lehtësojnë përvetësimin, duke nxitur pjesëmarrje aktive dhe qasje të hapur ndaj inputit gjuhësor. Në këtë kuadër, faktori afektiv vepron si një “filtër” që ndërmjetëson mes inputit të marrë dhe strukturës së trurit përgjegjëse për përvetësimin e gjuhës. Një filtër i ulët – i shoqëruar me motivim të lartë, vetëbesim të fortë dhe ankth minimal – lejon që inputi të depërtojë dhe të përpunohet në mënyrë efektive. Në të kundërt, një filtër i lartë, i shkaktuar nga mungesa e motivimit, vetëdysimi apo nivele të larta ankthi, pengon përpunimin e inputit, edhe në rastet kur ky input është i kuptueshëm (Krashen, 1981; Stevick, 1976). Ky shpjegim ndihmon gjithashtu të kuptohet fenomeni i “fosilizimit” (Selinker, 1972), ku nxënësit, pavarësisht ekspozimit të bollshëm ndaj inputit, ndalojnë së përparuari dhe nuk arrijnë nivelin e rrjedhshmërisë së natyrshme. Implikimet Pedagogjike Hipoteza e Filtrit Afektiv sugjeron se roli i mësuesit nuk duhet të kufizohet vetëm te ofrimi i inputit të kuptueshëm, por duhet të shtrihet edhe në krijimin e një mjedisi me filtra emocionalë të ulët. Kjo nënkupton zhvillimin e një klime mësimore që redukton ankthin, forcon vetëbesimin dhe rrit motivimin. Si rrjedhojë, mësues kompetent i gjuhës është ai që jo vetëm siguron input të pasur dhe të kuptueshëm, por njëkohësisht ndërton një atmosferë ku nxënësit ndihen të sigurt dhe të mbështetur (Krashen, 1981). Implementimi i Parimeve të Filtrit Afektiv në GrapeSEED Programi GrapeSEED, i krijuar për nxënësit e vegjël të anglishtes, është i konceptuar në përputhje me parimet e Hipotezës së Filtrit Afektiv. Struktura dhe përmbajtja e tij synojnë jo vetëm ofrimin e inputit të kuptueshëm, por edhe ndërtimin e një mjedisi të gëzueshëm dhe pa ankth, ku gjuha të përvetësohet natyrshëm. Elementet kyçe përfshijnë: Nxitja e motivimit përmes përmbajtjes sërish argëtuese dhe tërheqëse Këngët, recitimet ritmike dhe tregimet gjallërojnë atmosferën, rrisin kureshtjen dhe nxisin dëshirën për pjesëmarrje. Zhvillimi i vetëbesimit përmes përsëritjes dhe suksesit progresiv Funksionet gjuhësore shfaqen nëpër komponentë të ndryshëm (këngë, libra të mëdhenj, karta fjalori), duke lejuar përforcimin gradual të njohurive pa ushtruar presion. Reduktimi i ankthit përmes aktiviteteve interaktive dhe lojës së strukturuar Aktivitetet në grup, puna me partnerë dhe tregimet kolektive krijojnë një mjedis të sigurt për të provuar, gabuar dhe mësuar përsëri. Roli i mësuesit në menaxhimin e filtrit afektiv Përdorimi i korrigjimeve të ‘buta’, inkurajimit pozitiv dhe vlerësimit të përpjekjes kontribuojnë në kultivimin e një klime ku gabimet përceptohen si hapa të natyrshëm drejt të nxënit. Disa strategji qasjeje ndaj gjuhës së prodhuar nga nxënësit janë a) modelimi (dhënia e një shembulli të përdorimit të saktë të gjuhës në një kontekst të caktuar), b) ripërsëritja (ripërsëritja e përgjigjes së nxënësve në mënyrë të saktë), c) nxitja (udhëheqja e nxënësve drejt një përgjigjeje të plotë duke dhënë tregues apo lidheza për të vazhduar mendimin), dhe d) bërja e pyetjeve shtesë (shtytja për të zgjeruar dhe plotësuar përgjigjen e tyre). Përfundim Hipoteza e Filtrit Afektiv ofron një kuadër teorik të rëndësishëm për të kuptuar pse disa nxënës arrijnë rezultate më të mira në përvetësimin e gjuhës së dytë, ndërsa të tjerë ngecin pavarësisht ekspozimit të bollshëm. Ajo thekson se variablat afektive – motivimi, vetëbesimi dhe ankthi – nuk përbëjnë elementë periferikë, por janë të domosdoshëm për suksesin në të nxënit gjuhësor. Në kontekstin e GrapeSEED, këto parime janë të ndërthurura në mënyrë organike me kurrikulën dhe praktikat e mësimdhënies. Përmes kombinimit të inputit të pasur dhe një mjedisi emocionalisht të sigurt, programi jo vetëm që e ekspozon fëmijën ndaj gjuhës, por e ndihmon atë ta përvetësojë me natyrshmëri, besim dhe gëzim.

Organizimit i klasës është një faktor i nënvlerësuar që ndikon në çdo aspekt tjetër të mësimit tuaj. Nëse nuk i keni organizuar siç duhet komponentët ose karriget e nxënësve, do të keni më shumë probleme me menaxhimin e klasës dhe ritmin e mësimit. Nëse nuk keni asgjë në muret e klasës, do të humbisni shumë mundësi për angazhim shtesë të nxënësve dhe për krijimin e lidhjeve mendore me gjuhën.

Çfarë është Critical Period Hypothesis (CPH)? Hipoteza e Periudhës Kritike (Critical Period Hypothesis) është një teori në fushën e përvetësimit të gjuhës, e cila sugjeron se ekziston një interval kohor i kufizuar gjatë fëmijërisë ku truri është më i prirur për të mësuar një gjuhë në mënyrë natyrale, të shpejtë dhe efektive. Ky interval zakonisht përfshin 3 deri në 10 vitet e para të jetës, kur plasticiteti i trurit është në nivelin më të lartë. Pse është e rëndësishme kjo periudhë? Gjatë fëmijërisë, plasticiteti i trurit apo aftësia e trurit për t’u përshtatur dhe për të formuar lidhje të reja nervore është në kulmin e vet, çka e bën mësimin e gjuhës një proces natyral, shpesh pa nevojë për përpjekje të vetëdijshme. Gjithashtu, fëmijët e vegjël janë më të prirur për të përceptuar apo prodhuar tingujt e një gjuhe me saktësi më të madhe, dhe për të përthithur strukturat e saj komplekse gjuhësore. Me rritjen e fëmijës, kjo aftësi bie gradualisht dhe proces i përvetësimit të gjuhës vështirësohet duke ulur mundësitë që të arrihet rrjedhshmëria natyrale e një gjuhe. CPH për Gjuhën e Parë vs. Gjuhë të Dytë Rëndësia e Hipotezës së Periudhës Kritike (CPH) 1. Për Gjuhën e Parë (Amtare) Hipoteza e Periudhës Kritike thekson sa thelbësor është ekspozimi i hershëm për përvetësimin e gjuhës amtare. Baza e gjuhës: Gjatë viteve të para të jetës, fëmijët zhvillojnë aftësi thelbësore të dëgjimit, të folurit dhe të kuptuarit. Nëse nuk ekspozohen ndaj inputit të pasur gjuhësor gjatë kësaj periudhe, zhvillimi i gjuhës së tyre mund të jetë i vonuar ose i paplotë. Ndjeshmëria fonetike: Foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të dallojnë dhe riprodhojnë tinguj fonetikë shumë të hollë nga çdo gjuhë. Pa ekspozim gjatë vitete kritikë, kjo aftësi ngushtohet dhe ata humbasin ndjeshmërinë ndaj tingujve që nuk janë pjesë e gjuhës së mjedisit të tyre. Efektet afatgjata: Raste të fëmijëve që nuk kanë pasur ekspozim të hershëm ndaj gjuhës (p.sh., për shkak të neglizhencës ekstreme ose paaftësive të dëgjimit pa ndërhyrje të hershme) tregojnë se humbja e kësaj periudhe shpesh çon në vështirësi të përhershme me gramatikën, shqiptimin dhe rrjedhshmërinë. 2. Për Mësimin e një Gjuhe të Dytë CPH ka po ashtu ndikim të madh në përvetësimin e gjuhëve të tjera përveç asaj gjuhës amtare. Lehtësia e të nxënit: Fëmijët që ekspozohen herët ndaj një gjuhe të dytë shpesh e mësojnë atë në mënyrë natyrale, ashtu si gjuhën amtare, përmes dëgjimit, përsëritjes dhe ndërveprimit, pa u mbështetur në përkthim ose në rregulla të rrepta gramatikore. Shqiptimi dhe theksi: Nxënësit e vegjël kanë mundësi më të larta të arrijnë shqiptim natyral dhe pa theks të huaj. Pas pubertetit, shumica e nxënësve mbajnë gjurmë të një theksi, edhe nëse janë shumë të rrjedhshëm në atë gjuhë. Plasticiteti i trurit: Në fëmijëri, fleksibiliteti i trurit i lejon fëmijët të përthithin dhe të ruajnë disa sisteme gjuhësore njëkohësisht pa konfuzion. Me kalimin e moshës kjo bëhet më e vështirë, pasi neuroplasticiteti bie. Besimi dhe rrjedhshmëria: Fëmijët që mësojnë herët priren ta përdorin gjuhën e dytë në mënyrë spontane dhe të rrjedhshme, ndërsa nxënësit më të rritur shpesh mendojnë fillimisht në gjuhën amtare dhe pastaj e përkthejnë atë në gjuhën e dytë. Si integrohet kjo hipotezë në programin GrapeSEED? Programe si GrapeSEED janë të ndërtuara për të përfituar nga kjo dritare kritike e zhvillimit, duke siguruar që fëmijët të përvetësojnë anglishten në mënyrë natyrale, njësoj si gjuhën amtare përmes tingujve, melodisë dhe ritmit të saj, pa nevojë për përkthim ose memorizim mekanik. Mësimi ndodh përmes ekspozimit të përsëritur, të gëzueshëm dhe interaktiv, duke ndjekur të njëjtin proces që fëmijët mësojnë gjuhën amtare. Duke shfrytëzuar plasticitetin e trurit të fëmijëve në moshë të hershme dhe avantazhet që ai ka, GrapeSEED u jep fëmijëve një mundësi të vlefshme dhe të papërsëritshme për rrjedhshmëri, shqiptim korrekt dhe kuptim gjuhësor afatgjatë.

Planifikimi dhe organizimi janë aftësi jetike që fëmijët duhet t’i mësojnë herët për të pasur sukses si në shkollë ashtu edhe në jetë. Si mësues, ne kemi një rol vendimtar në zhvillimin e këtyre aftësive, duke i ndihmuar fëmijët të mësojnë si të planifikojnë, të organizohen dhe të punojnë në mënyrë të pavarur. Më poshtë gjeni disa strategji të thjeshta dhe praktike që mund t’i përdorni menjëherë në klasë për të ndërtuar një mjedis që forcon pavarësinë, organizimin dhe motivimin tek fëmijët.

Çdo mësues përqafon një stil të veçantë mësimdhënie ashtu sikurse shfaq në klasë një mori pikash të forta. Por, pavarësisht qasjes që ai përdor, ekzistojnë disa shenja pozitive që sinjalizojnë një mësimdhënie efektive dhe me në qendër nxënësin, por edhe disa shenja negative që shënojnë nëvojën për reflektim apo mbështetje. Le të fillojmë me shenjat pozitive. Nxënësit janë të angazhuar dhe marrin pjesë. Kur nxënësit janë të angazhuar aktivisht duke bërë pyetje, marrë pjesë në aktivitete apo duke krijuar kontakt me sy, tregon se mësimdhënia apo inputi po ‘arrin’ tek nxënësit. Rutinat në klasë nxisin pavarësinë. Një ambient i strukturuar mirë ndihmon nxënësit të vendosin pritshmëri të qarta dhe u jep besim në aftësitë e tyre drejt suksesit. Gjuha përdoret në mënyra kuptimplota. Qoftë përmes tregimeve, këngëve apo bisedave, një mësimdhënie e mirë krijon hapësira për nxënësit që të përdorin gjuhën, jo vetëm ta mësojnë atë përmendësh. Marrëdhëniet pozitive janë të dukshme. Një klasë e ndërtuar mbi respekt, inkurajim dhe siguri emocionale është vendi ideal ku mësimi mund të lulëzojë. Le të shohim tani shenjat negative. Hapësira që mësuesi flet dominon në klasë. Nëse monentet kur nxënësit flasin, bëjnë pyetje ose shprehin ide janë të rralla, mësimi nuk po shkon ashtu siç duhet. Mësimi ndodh përmes veprimit dhe ndërveprimit, jo vetëm përmes dëgjimit. Sjellja problematike është e vazhdueshme. Ndërprerjet e shpeshta mund të tregojnë se mësimet nuk u përputhen interesave apo nivelit zhvillimor të nxënësve. Vlerësimi udhëheq mësimin në mënyrë të gabuar. Nëse mësimi përqendrohet vetëm në rezultatet e testeve mund të devijojë nga fokusi kryesor - rrjedhshmëria gjatë përdorimit kuptimplotë të gjuhës dhe zhvillimi afatgjatë i nxënësve. Nxënësit janë të shqetësuar ose të shkëputur. Jo gjihtmonë një klasë e qetë nënkupton nxënës të përqendruar. Nëse nxënësit duken të tërhequr apo të dekurajuar, kjo mund të jetë një shenjë e mbingarkesës apo mungesës së motivimit. Si ndihmon GrapeSEED? GrapeSEED është krijuar për të përforcuar shenjat pozitive dhe për të pakësuar ato negativet. Qasja e programit e bazuar në studime kërkimore nxit ndërveprimin, angazhimin dhe gëzimin. Mësimet janë të projektuara që të jenë të përqendruara te nxënësi, emocionalisht të sigurta dhe të përshtatshme për zhvillimin e tyre. Përmes këngëve, tregimeve dhe përsëritjes, nxënësit përvetësojnë gjuhën angleze në një ambient natyral dhe pa presion duke zhvilluar jo vetëm aftësitë gjuhësore, por edhe vetëbesimin. Për mësuesit, GrapeSEED ofron një strukturë të qartë, rutina të qëndrueshme dhe burime të gatshme për përdorim që ndihmojnë në menaxhimin e klasës dhe një mësimdhënie sa më efektive. Programi e zhvendos fokusin nga memorizimi te komunikimi kuptimplotë duke e bërë më të lehtë dallimin e shenjave pozitive dhe adresimin e atyre negative.

Në një botë ku ekranet janë kudo - telefona, tableta, televizorë, kompjutera - është e natyrshme që fëmijët të rriten të rrethuar nga teknologjia. Por një pyetje që i shqetëson shumicën e prindërve është: Sa kohë para ekranit është e shëndetshme për fëmijët? Ky artikull ofron këshilla nga ekspertët, rezultatet e studimeve më të fundit dhe sugjerime praktike për të krijuar zakone të shëndetshme të përdorimit të teknologjisë në familje. Çfarë rekomandojnë ekspertët? Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) ofron këto udhëzime për kohën para ekranit: Nën 18 muajsh: Shmangni ekranet, përveç video-telefonatave me familjarë. 18–24 muajsh: Mund të prezantoni përmbajtje cilësore, por gjithmonë duke e parë së bashku me fëmijën. 2–5 vjeç: Kufizoni kohën para ekranit në 1 orë në ditë, me përmbajtje cilësore dhe të shoqëruar nga një i rritur. 6 vjeç e lart: Nuk ka një kufi të përcaktuar, por përdorimi nuk duhet të ndikojë në gjumin, aktivitetin fizik apo rutinat e tjera të shëndetshme. Prindërit duhet të vendosin kufij të qëndrueshëm. Pse janë të rëndësishme kufizimet? Ekspozimi i tepruar ndaj ekranit është lidhur me disa pasoja negative për zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve: Vonesë në zhvillimin e të folurit, sidomos tek fëmijët e vegjël që konsumojnë përmbajtje pasive. Çrregullime të gjumit, nëse përdorin ekranin para gjumit. Performancë më e dobët në shkollë, kur ekrani përdoret pa kontroll dhe për argëtim të pakufizuar. Aktivitet fizik i reduktuar, që ndikon në shëndetin fizik. Probleme emocionale, si ankthi, depresioni dhe izolimi shoqëror – veçanërisht tek adoleshentët. Një studim i publikuar në JAMA Pediatrics në vitin 2022 tregoi se fëmijët që kalonin më shumë se dy orë në ditë para ekranit për qëllime rekreative, kishin rezultate më të ulëta në testet e të menduarit dhe të gjuhës. Jo çdo ekran është i njëjtë Kohës para ekranit nuk i duhet parë vetëm në aspekt sasior, por edhe cilësor. Disa shembuj: Përdorim pasiv: shikimi i videove pa ndërveprim. Përdorim aktiv/interaktiv: lojëra edukative, vizatime, biseda online me familjarë. Përdorim për shkollë/mësim: detyra online, platforma arsimore, mësime virtuale. Një fëmijë që ndjek video edukative bashkë me prindin apo mëson përmes një aplikacion interaktiv është i angazhuar ndryshe nga një fëmijë që kalon orë të tëra duke parë kontent pa ndërprerje. Si të krijoni zakone të shëndetshme Vendosni një plan mediatik për familjen: Përcaktoni kohë të caktuara për përdorimin e pajisjeve dhe zona pa teknologji në shtëpi, si dhoma e gjumit ose tavolina e ngrënies. Jepni shembullin personal: Fëmijët mësojnë nga ne. Nëse jeni të varur nga telefoni, edhe ata do të jenë. Zgjidhni përmbajtje cilësore: Shikoni bashkë me ta dhe flisni për çfarë po shikojnë. Ndihmojini ta kuptojnë dhe ta lidhin me botën reale. Inkurajoni alternativa pa ekran: Leximi, loja jashtë, sporti, arti dhe bisedat me të tjerët janë të pazëvendësueshme për zhvillimin e plotë të fëmijës. Nëse mendoni se ka “shumë ekran” në rutinën e përditshme Mos u shqetësoni – shumica e familjeve përballen me këtë sfidë, veçanërisht në kohën e pas-pandemisë ku puna dhe mësimi online janë bërë më të zakonshme. Filloni me hapa të vegjël: zvogëloni gradualisht kohën para ekranit për qëllime argëtimi dhe zëvendësojeni me aktivitete që përfshijnë lëvizje, ndërveprim dhe krijimtari. Si lidhet kjo me qasjen REP të GrapeSEED? Në GrapeSEED, një nga parimet bazë të qasjes sonë REP (Repeat Exposure and Practice – Ekspozim dhe Praktikë e Përsëritur) është të përdorim përmbajtje të strukturuar, me qëllim të qartë edukativ, në mënyrë të kontrolluar dhe të ndërgjegjshme, për rreth 15 minuta në ditë. Në vend që të lëmë fëmijët të kalojnë orë të tëra para ekranit pa drejtim, GrapeSEED u ofron mësuesve dhe prindërve mjete që: Përdorin ekranin si mjet mbështetës për të mësuar gjuhën në mënyrë natyrale; Janë të strukturuara për moshën dhe nivelin e zhvillimit të fëmijëve; Nxisin angazhim aktiv, jo vetëm konsum pasiv. Kjo është mënyra më e mirë për të kthyer teknologjinë në aleat për të mësuar, dhe jo në pengesë për zhvillimin. Në fund, nuk ka një numër magjik për të gjithë fëmijët. Çelësi është cilësia e përmbajtjes, shoqërimi nga të rriturit, dhe balanca me aktivitetet jashtë ekranit. Me qasje të vetëdijshme, ekranet mund të jenë një pjesë e dobishme – jo dominuese – e jetës së përditshme të fëmijëve.

A keni menduar ndonjëherë se kur është koha e duhur që fëmija juaj të fillojë të mësojë anglisht? Shkenca ka një përgjigje të qartë: sa më herët, aq më mirë. Dhe këtu vjen në ndihmë LittleSEED – programi më i ri nga familja GrapeSEED, i krijuar posaçërisht për fëmijët 3–4 vjeç. Një Fillim i Hershëm që Bën Diferencën Studimet tregojnë se 85% e zhvillimit të trurit ndodh para moshës 5 vjeç. Kjo periudhë është si një “dritare e artë” për të mësuar, përfshirë edhe gjuhët e huaja. Pikërisht për këtë arsye, LittleSEED synon t’u ofrojë fëmijëve një avantazh të hershëm në përvetësimin e gjuhës angleze – në një mënyrë të natyrshme dhe të këndshme. Mësim përmes Këngës, Lojës dhe Dashurisë për Gjuhën Në vend që të përqendrohet te rregullat gramatikore, LittleSEED e angazhon fëmijën tuaj përmes: Këngëve ritmike dhe lehtësisht të kujtueshme Lojërave interaktive dhe argëtuese Kartolinave me fjalë dhe histori vizuale Aktiviteteteve që lidhen me lëvizjen dhe ritmin Kjo mënyrë natyrale e të nxënit i ndihmon fëmijët të kuptojnë dhe të përdorin anglishten pa stres dhe pa pasur nevojë për përkthime. Për Prindërit që Duan Më Shumë LittleSEED nuk mbaron në klasë. Programi përfshin edhe materiale për në shtëpi, duke i dhënë prindërve mundësinë të përforcojnë të nxënit çdo ditë: Libri i Këngëve për këndim dhe lexim të përbashkët Aplikacion me përmbajtje zanore dhe vizuale për ripërsëritje të këndshme Këshilla për prindërit se si të mbështesin procesin e të nxënit Mësues të Trajnuar dhe Materiale Cilësore LittleSEED mbështetet nga një strukturë e plotë mësimore: kurrikulë e qartë, materiale të organizuara për klasë dhe trajnim profesional për mësuesit. Çdo fëmijë ka mundësinë të shkëlqejë në ritmin e tij. Rezultati? Sukses i Natyrshëm dhe i Qëndrueshëm Kur fëmijët mësojnë në mënyrë të natyrshme, ata ndihen të sigurt, të përfshirë dhe mbi të gjitha – të motivuar për të vazhduar. Ky është qëllimi i LittleSEED: t’i ndihmojë fëmijët të bëjnë hapin e parë drejt anglishtes me besim dhe gëzim. A dëshironi që fëmija juaj të përfitojë nga kjo dritare e artë? Bëni pjesë në programin LittleSEED dhe zbuloni fuqinë e të mësuarit të hershëm. Kontaktoni sot për më shumë informacion ose për të rezervuar një prezantim të programit në kopshtin tuaj.

Një çështje që i bashkon të gjitha familjet shqiptare, është dëshira që fëmijët tanë të kenë një jetë më të mirë. Përveç të qenit të shëndetshëm, të sigurt, të dashur dhe të sigurt në vetvete, ne duam që fëmijët tanë të kenë mundësinë të arrijnë sukses akademik, si një mënyrë për të siguruar një të ardhme të ndritur për ta dhe për brezat që vijnë. Shumë thonë se nuk ka dhuratë më të madhe sesa garancia që shkolla ku ia besojmë arsimin e fëmijëve tanë, ofron strategjitë, materialet dhe udhëzimet e duhura, në mënyrë që ata të marrin një arsim cilësor. Shpesh, nxënësit ndihen sikur jetojnë në dy botë të ndara: një në shtëpi dhe një në shkollë. Si e zvogëlon GrapeSEED këtë hendek mes shtëpisë dhe shkollës? Përveç mësimeve tepër të vlefshme, një nga përfitimet e shumta të përvetësimit të anglishtes përmes GrapeSEED është mjedisi i mirëpritur dhe ftesa e hapur për prindërit, që të marrin pjesë në rrugëtimin e fëmijëve të tyre! Nëpërmjet përdorimit të aplikacionit GrapeSEED për nxënësit, i cili mund të aksesohet lehtësisht si në shkollë ashtu edhe në shtëpi, fëmijët kalojnë nëpër Njësitë Mësimore dhe Playlist-at e personalizuara të GrapeSEED sipas nevojave specifike të fëmijës tuaj bazuar në perfomancën gjatë mësimit në klasë, duke pasur mundësi të shumta për ndërveprime domethënëse me fjalor, shprehje gjuhësore, struktura, etj. Familjet mund të angazhohen edhe përmes Buletineve për çdo njësi, mundësive për të ndjekur angazhimin e nxënësve dhe aktiviteteve shtesë si ‘Writing Fun’. Me GrapeSEED, hendeku mes dy botëve – asaj të shtëpisë dhe të shkollës – fillon të mbyllet, familjet dhe fëmijët fillojnë të ndihen të vlerësuar, rritet një partneritet i sinqertë dhe plot kujdes, dhe nxënësit shkëlqejnë. Dëshironi të mësoni më shumë për GrapeSEED? Na kontaktoni!

Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mësimi i gjuhës angleze është kthyer në një prioritet për shumë prindër shqiptarë. Fëmijët ekspozohen ndaj anglishtes që në kopsht, përmes lodrave, këngëve, filmave dhe – gjithnjë e më shumë – përmes programeve të strukturuara mësimore. Por kjo sjell një pyetje shumë të natyrshme: A mund të dëmtojë mësimi i anglishtes zhvillimin e gjuhës amtare, shqipes? Çfarë thotë shkenca për dy- ose shumëgjuhësinë? Shkenca moderne është e qartë: fëmijët janë të aftë të mësojnë më shumë se një gjuhë njëkohësisht, pa ndikuar negativisht në njërën apo tjetrën. Sipas studimeve të Fred Genesee dhe Ellen Bialystok, fëmijët bilingë (dygjuhësh) shpesh zhvillojnë aftësi më të mira njohëse dhe gjuhësore sesa bashkëmoshatarët njëgjuhësh. Kjo ndodh kur të dyja gjuhët kanë ekspozim të rregullt dhe funksion në jetën e përditshme. Një nga konkluzionet më të rëndësishme vjen nga Genesee et al. (2004): “Fëmijët mund të arrijnë zhvillim të plotë në të dyja gjuhët, për sa kohë që kanë mjaftueshëm ekspozim cilësor ndaj secilës prej tyre.” Kur anglishtja mund të dominojë shqipen? Rreziku i “zëvendësimit” të shqipes nga anglishtja nuk qëndron te vetë gjuha e dytë, por te mungesa e angazhimit aktiv me gjuhën amtare. Në rastet kur fëmijët ndjekin shkollim vetëm në anglisht dhe e përdorin shqipen shumë rrallë në mjedisin familjar, zhvillimi i shqipes mund të ngadalësohet. Por në realitetin shqiptar, ku mjedisi social dhe familjar është shqipfolës, kjo ndodh rrallë – për sa kohë prindërit mbeten aktivë në komunikimin në shqip, leximin dhe nxitjen e të folurit natyral në shtëpi. Përfitimet e dygjuhësisë që në fëmijëri Kur fëmijët mësojnë anglishten krahas shqipes në mënyrë të balancuar: - Zhvillojnë fjalor dhe strukturë gjuhësore më të thellë në të dyja gjuhët; - Rrisin aftësitë e përqendrimit dhe zgjidhjes së problemeve; - Përgatiten për të ardhmen, si në arsim ashtu edhe në tregun global të punës; - Janë më të ndjeshëm ndaj kulturave të ndryshme dhe më të aftë për të komunikuar me një gamë të gjerë njerëzish. Si ta mbështesim shqipen ndërsa mësojmë anglisht? - Flisnii rregullisht në shqip me fëmijën tuaj, duke përd orur fjalor të pasur dhe të larmishëm. - Lexoni libra shqip së bashku – çdo natë, në mënyrë të këndshme. - Nxitni rrëfime dhe tregime, duke u fokusuar në shprehjen e ideve në gjuhën amtare. - Zgjidhni programe anglishteje që respektojnë zhvillimin natyral të fëmijës dhe nuk kërkojnë përkthim të drejtpërdrejtë. GrapeSEED: Shembulli i një anglishteje që nuk konkurron me shqipen Programi GrapeSEED është ndërtuar posaçërisht për t’u mësuar fëmijëve anglishten si një gjuhë e dytë, në mënyrë natyrale, të kuptueshme dhe pa përkthim. Kjo qasje e ndihmon fëmijën të mësojë anglishten ashtu siç mëson shqipen: përmes dëgjimit, kuptimit dhe përdorimit aktiv në kontekst. Përfitimet e GrapeSEED për fëmijët shqiptarë: - Nuk e zëvendëson shqipen: anglishtja bëhet një aftësi shtesë, jo një zëvendësim. - Nuk ka përkthim – çdo gjë mësohet përmes kuptimit natyror, duke shmangur konfuzionin mes gjuhëve. - Përshtatet me fëmijët shqiptarë, të cilët vazhdojnë të përdorin shqipen si gjuhë të përditshme në shtëpi dhe shoqëri. GrapeSEED mbështet zhvillimin dygjuhësh të fëmijës duke respektuar rëndësinë e gjuhës amtare dhe duke ofruar një rrugë efektive për të ndërtuar të ardhmen në një botë ku anglishtja është çelësi i shumë mundësive. Përfundim: Jo një pengesë, por një pasuri Anglishtja nuk është një kërcënim për shqipen – është një dritare e re që u hapet fëmijëve tanë. Ajo nuk duhet të zëvendësojë, por të plotësojë. Kur prindërit janë të vetëdijshëm dhe të përfshirë, dhe kur programet e mësimit janë të dizajnuara me kujdes, fëmijët tanë mund të rriten të pasur në gjuhë, kulturë dhe mundësi.

Prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre – dhe kjo përfshin edhe të ardhmen gjuhësore. Sidomos sot, kur anglishtja është çelësi për shumë mundësi në jetë, shumë prindër përpiqen t’u mësojnë fëmijëve këtë gjuhë që në moshë të vogël. Por… a ndodh që, pa dashje, të bëjmë hapa të gabuar? Ekspertë të edukimit si Luca Piergiovanni dhe organizata si British Council bien dakord për një gjë: mënyra si ua mësojmë fëmijëve një gjuhë ndikon më shumë sesa sa orë kalojnë duke studiuar. 🚫 1. Të nxisësh me zor = frustrim, jo përparim Të shtysh fëmijën të flasë, të lexojë apo të praktikojë një gjuhë të re kur nuk është gati mund të sjellë të kundërtën e asaj që dëshiron: humbje motivimi, stres dhe refuzim. "Fëmijët mësojnë më mirë kur ndihen të sigurt dhe të lirë për të gabuar." – Luca Piergiovanni 📚 2. Të përqendrohesh vetëm te gramatika Fëmijët mësojnë gjuhën siç mësojnë të ecin: duke provuar, duke gabuar, dhe duke imituar. Kur përqendrohemi vetëm te rregullat gramatikore, fëmijët shpesh ndihen të hutuar ose të trembur nga gabimet. Zgjidhja? Përdor këngë, lojëra, histori dhe video për t’i ekspozuar në mënyrë të natyrshme ndaj gjuhës. Gjuha nuk mësohet vetëm me libra – por me përvojë të përditshme. 😰 3. Të krijosh ankth për perfeksionin Presioni për të qenë të "saktë" e për të folur "rrjedhshëm" që në javët e para krijon frikë nga dështimi. Kur anglishtja lidhet me stresin, ajo kthehet në një detyrë, jo në një mundësi. “Një qasje e relaksuar është çelësi i suksesit.” — British Council, 2018 ✅ Po si ndihmojmë në mënyrë të shëndetshme? Ekspertët bien dakord: qasja më e mirë është një mjedis i qetë dhe mbështetës. Në vend që të ndreqni çdo gabim, fokusohuni në përpjekje dhe kurajë: · Lavdërojeni fëmijën kur përpiqet, jo vetëm kur e thotë saktë. · Përdorni fraza si: ✅ “Shumë mirë që u përpoqe!” ✅ “Le ta themi së bashku edhe një herë.” 📖 Çfarë thonë teoritë shkencore? 🧠 Albert Bandura – Teoria e të nxënit social Fëmijët mësojnë duke vëzhguar dhe imituar të tjerët. Kur dëgjojnë anglisht çdo ditë nga prindërit apo përmes mediave, ata e përthithin natyrshëm. 🧩 Lev Vygotsky – Zona e zhvillimit të afërt Fëmijët arrijnë më shumë kur ndihmohen në mënyrë të kujdesshme nga një i rritur, jo kur detyrohen. Ndihma duhet të jetë “aq sa duhet” për ta shtyrë përpara me besim. 🌱 Carol Dweck – Mentaliteti i rritjes Lavdërimi për përpjekje dhe jo vetëm për rezultat ndërton vetëbesim, motivim dhe dëshirë për të mësuar më tej. 🔚Përfundim: Bëhu aleati, jo kritiku Mësimi i një gjuhe të huaj është një rrugëtim, jo një garë. Lëreni fëmijën ta shijojë këtë proces pa frikën e gabimeve. Mbështeteni me durim, dashuri dhe frymëzim. Sepse kur prindi bëhet partner në të nxënë, fëmija jo vetëm që mëson më mirë – por edhe e do më shumë gjuhën që mëson.

