10 shtator 2025
Procesi i përvetësimit të gjuhës nuk kufizohet vetëm te ekspozimi ndaj strukturave gjuhësore, fjalorit të ri apo shprehjeve. Ai përfshin gjithashtu dimensione të rëndësishme emocionale dhe psikologjike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën dhe nivelin në të cilin inputi gjuhësor përthithet nga nxënësit. Një nga teoritë më me ndikim që trajton këtë marrëdhënie është Hipoteza e Filtrit Afektiv, e formuluar nga Stephen Krashen në fillim të viteve 1980. Çfarë është Hipoteza e Filtrit Afektiv? Sipas Krashen (1981), Hipoteza e Filtrit Afektiv shpjegon sesi faktorët afektivë, si emocionet, qëndrimet dhe gjendjet psikologjike të nxënësve, lidhen me procesin e përvetësimit të gjuhës së dytë. Kërkimet e mëvonshme kanë konfirmuar se një gamë e gjerë variablesh afektive ndikojnë ndjeshëm në suksesin gjuhësor. Këto variabla ndahen në tre kategori themelore: Motivimi – Nxënësit me motivim të lartë, veçanërisht me motivim integrues (dëshira për t’u bërë pjesë e një komuniteti gjuhësor), tregojnë përparime më të dukshme në përvetësimin e gjuhës. Vetëbesimi – Një vetë-imazh pozitiv dhe bindja tek aftësitë e veta e bën nxënësin më të gatshëm të marrë rreziqe, të praktikojë dhe të zhvillohet në gjuhën e re. Ankthi – Nivelet e ulëta të ankthit, si personal ashtu edhe në mjedisin e klasës, krijojnë kushte që lehtësojnë përvetësimin, duke nxitur pjesëmarrje aktive dhe qasje të hapur ndaj inputit gjuhësor. Në këtë kuadër, faktori afektiv vepron si një “filtër” që ndërmjetëson mes inputit të marrë dhe strukturës së trurit përgjegjëse për përvetësimin e gjuhës. Një filtër i ulët – i shoqëruar me motivim të lartë, vetëbesim të fortë dhe ankth minimal – lejon që inputi të depërtojë dhe të përpunohet në mënyrë efektive. Në të kundërt, një filtër i lartë, i shkaktuar nga mungesa e motivimit, vetëdysimi apo nivele të larta ankthi, pengon përpunimin e inputit, edhe në rastet kur ky input është i kuptueshëm (Krashen, 1981; Stevick, 1976). Ky shpjegim ndihmon gjithashtu të kuptohet fenomeni i “fosilizimit” (Selinker, 1972), ku nxënësit, pavarësisht ekspozimit të bollshëm ndaj inputit, ndalojnë së përparuari dhe nuk arrijnë nivelin e rrjedhshmërisë së natyrshme. Implikimet Pedagogjike Hipoteza e Filtrit Afektiv sugjeron se roli i mësuesit nuk duhet të kufizohet vetëm te ofrimi i inputit të kuptueshëm, por duhet të shtrihet edhe në krijimin e një mjedisi me filtra emocionalë të ulët. Kjo nënkupton zhvillimin e një klime mësimore që redukton ankthin, forcon vetëbesimin dhe rrit motivimin. Si rrjedhojë, mësues kompetent i gjuhës është ai që jo vetëm siguron input të pasur dhe të kuptueshëm, por njëkohësisht ndërton një atmosferë ku nxënësit ndihen të sigurt dhe të mbështetur (Krashen, 1981). Implementimi i Parimeve të Filtrit Afektiv në GrapeSEED Programi GrapeSEED, i krijuar për nxënësit e vegjël të anglishtes, është i konceptuar në përputhje me parimet e Hipotezës së Filtrit Afektiv. Struktura dhe përmbajtja e tij synojnë jo vetëm ofrimin e inputit të kuptueshëm, por edhe ndërtimin e një mjedisi të gëzueshëm dhe pa ankth, ku gjuha të përvetësohet natyrshëm. Elementet kyçe përfshijnë: Nxitja e motivimit përmes përmbajtjes sërish argëtuese dhe tërheqëse Këngët, recitimet ritmike dhe tregimet gjallërojnë atmosferën, rrisin kureshtjen dhe nxisin dëshirën për pjesëmarrje. Zhvillimi i vetëbesimit përmes përsëritjes dhe suksesit progresiv Funksionet gjuhësore shfaqen nëpër komponentë të ndryshëm (këngë, libra të mëdhenj, karta fjalori), duke lejuar përforcimin gradual të njohurive pa ushtruar presion. Reduktimi i ankthit përmes aktiviteteve interaktive dhe lojës së strukturuar Aktivitetet në grup, puna me partnerë dhe tregimet kolektive krijojnë një mjedis të sigurt për të provuar, gabuar dhe mësuar përsëri. Roli i mësuesit në menaxhimin e filtrit afektiv Përdorimi i korrigjimeve të ‘buta’, inkurajimit pozitiv dhe vlerësimit të përpjekjes kontribuojnë në kultivimin e një klime ku gabimet përceptohen si hapa të natyrshëm drejt të nxënit. Disa strategji qasjeje ndaj gjuhës së prodhuar nga nxënësit janë a) modelimi (dhënia e një shembulli të përdorimit të saktë të gjuhës në një kontekst të caktuar), b) ripërsëritja (ripërsëritja e përgjigjes së nxënësve në mënyrë të saktë), c) nxitja (udhëheqja e nxënësve drejt një përgjigjeje të plotë duke dhënë tregues apo lidheza për të vazhduar mendimin), dhe d) bërja e pyetjeve shtesë (shtytja për të zgjeruar dhe plotësuar përgjigjen e tyre). Përfundim Hipoteza e Filtrit Afektiv ofron një kuadër teorik të rëndësishëm për të kuptuar pse disa nxënës arrijnë rezultate më të mira në përvetësimin e gjuhës së dytë, ndërsa të tjerë ngecin pavarësisht ekspozimit të bollshëm. Ajo thekson se variablat afektive – motivimi, vetëbesimi dhe ankthi – nuk përbëjnë elementë periferikë, por janë të domosdoshëm për suksesin në të nxënit gjuhësor. Në kontekstin e GrapeSEED, këto parime janë të ndërthurura në mënyrë organike me kurrikulën dhe praktikat e mësimdhënies. Përmes kombinimit të inputit të pasur dhe një mjedisi emocionalisht të sigurt, programi jo vetëm që e ekspozon fëmijën ndaj gjuhës, por e ndihmon atë ta përvetësojë me natyrshmëri, besim dhe gëzim.